TIRANË, 4 Qershor/ATSH/-  “Tirana” dhe “Kukësi” rinisin me fitore superligën shqiptare të futbollit e cila u ndërpre për shkak të pandemisë COVID-19.

Bardheblutë kanë mundur “Bylisin” në Ballsh me rezultatin 3-1, në kuadër të javës së 27-të. Në “Adush Muça” të Ballshit, Tirana e nisi në mënyrën e duhur dhe arriti të marrë një fitore me rezultatin 1-3 dhe të vrapojë drejt titullit kampion, duke qenë se vijon të qëndrojë në krye të renditjes, me plot 9 pikë më tepër se Kukësit ndjekës. Bardheblutë zhbllokuan sfidën me anë të Cobbinah, që u shkëput bukur në zonë dhe stopoi e gjuajti në mënyrë perfekte, duke dërguar sferën në rrjetë, ndërsa pak minuta më vonë ishte Batha që dyfishoi shifrat me anë të një penalltie të ekzekutuar saktë.

Në pjesën e dytë Bylisi provoi të rihapë takimin, pasi shënoi me anë të mesfushorit Peposhi, por vetëm pak minuta më vonë ishte kapiteni Gentian Muça që shtyu topin në rrjetë për herë të tretë dhe vulosi suksesin e bardhebluve.

“Kukësi” ka fituar ndaj “Luftëtarit” me një gol në minutat e fundit, duke ruajtur distancën me 9-të nga “Tirana” kryesuese.

Në “Elbasan Arena”  “Kukësi” vuajti jo pak për të marrë tre pikët ndaj “Luftëtarit” modest, ndërsa goli i fitores u shënua nga Kristal Abazaj vetëm në minutat shtesë të takimit. Verilindorët kaluan të parët në avantazh me anë të Gavazajt, por gjirokastritët befasuan në pjesën e dytë, duke rikthyer baraspeshën me anë të Mehmetit, që ekzekutoi saktë një penallti.

“Partizani” vijon në krizë dhe ka humbur me shifrat 1-2 ndaj ‘Skënderbeut” në “Tiranë”.

Në sfidën përmbyllëse të javës së 27-të të Superiores, skuadra e drejtuar nga Adolfo Sormani u mposht 1-2 nga “Skënderbeu” në “Selman Stërmasi”, duke u larguar edhe më shumë nga objektivi Europë. Me këtë disfatë Partizani është skuadra më e rrezikuar, pas Bylisit, për t’u përballur në play out me ekipin e tretë më të mirë të Kategorisë së Parë.

Rezultatet e javës 27:
Bylis-Tirana 1-3
Kukësi- Luftëtari 2-1
Partizani-Skënderbeu 1-2
Flamurtari-Vllaznia 1-3
Laçi-Durrësi 1-1

Klasifikimi: Tirana 56 pikë, Kukësi 47, Skënderbeu 44, Laçi 42, Teuta 41, Vllaznia dhe Partizani 38, Bylis 36, Luftëtari 14. Flamurtari 11 pikë

Java e 28-të
E Diel
Luftëtari-Tirana                  17:00
Bylis-Teuta                       17:00
Laçi-Vllaznia                     17:00
Flamurtari-Skënderbeu      17:00
Partizani-Kukësi            20:30

ATSH