/ATSH/ Të ardhurat totale për 5-mujorin e parë të vitit 2021 u realizuan në masën 191.6 miliardë lekë, ose 104 % të planit të 5-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë rritje prej 31 miliardë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi sot treguesit fiskalë për periudhën janar-maj, sipas të cilëve të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % të planit të 5-mujorit, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike u realizuan në masën 97 % të planit të periudhës.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 67.8 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 23.5 % më shumë se 5-mujori 2020, si dhe 1.2 miliardë lekë, ose 1.8 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5-mujorin e vitit 2021.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 5-mujorin 2021 u realizuan në masën 98.8 miliardë lekë, 12 miliardë ose 13.9% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.1 miliardë lekë, ose 1.1 % më shumë se plani i 5-mujorit 2021.

Të ardhurat nga TVSH dhe tatimfitimi janë në rritje, duke sinjalizuar për një përmirësim të aktivitetit ekonomik.

Sipas MFE, niveli i deficitit në muajin e pestë të vitit 2021 rezultoi në rreth 20.3 miliardë lekë, në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e pestë të vitit 2021, arritën në rreth 211.9 miliardë lekë me një realizim në masën 97 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 13 % më i lartë, ose rreth 24.3 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale për periudhën 5-mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.7 % dhe 75.7 % të planit të periudhës. /j.p/r.e/