TIRANË, 6 Qershor /ATSH/- Klubi bardheblu ka marrë lajmin e mirë nga Instituti i Shëndetit Publik. Skuadra e “Tiranës” ka njoftuar se të gjithë futbollistët dhe stafi që ju nënshtruan testit për COVID- 19 kanë rezultuar negativë.

Ky lajm i jep mundësi klubit kryesues të superligës të përgatitet me qetësi për sfidën e radhës në rrugën e tyre drejt titullit kampion. Në etapën e radhës, “Tirana” nesër në orën 17:00 do të luaj në stadiumin “Gjirokastra” kundër “Luftëtarit”.

Ditën e djeshme një shkresë e ardhur në zyrat e Tiranës bëhej me dije se do realizohej një “hetim epidemiologjik” nga ana e ISHP-së pasi bardheblutë u kthyen nga Bylisi ku pat rezultuar një rast pozitiv ndaj koronavirusit, ai i Eridion Qardakut, i infektuar në vendlindjen e tij, Shkodër. Fatmirësisht çdo gjë është mbyllur mirë për “Tiranën”.

ATSH