Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të hënën, nënvizoi se një pjesë e madhe e buxhetit do të shkojë për zërin paga e shpenzime, ndërsa kujtoi se gjatë vitit 2020 organika e Policisë së Shtetit është shtuar me 600 funksione.

“ Buxheti i vitit 2021 është parashikuar të ketë një rritje me 1.5%. Parashikimi është planifikuar në shifrat 20.9 miliard lekë dhe pjesa kryesore paga e sigurime shoqërore. Pavarësisht vitit të vështirë, në 2020, kemi shtuar 600 funksione në Policinë e Shtetit, që është një rritje e madhe, duke parë dhe  sfidat me të cilat vendi u ballafaqua gjatë këtij viti, tërmeti dhe pandemia”,- tha Hodaj.

“Është një shtim, një kujdes i madh i qeverisë për institucionin e Ministrisë së Brendshme dhe ndaj organeve të sigurisë publike. Dy programet, gjendja civile dhe prefektura civile kanë marrë të mardhura të cilat plotësojnë kërkesat e tyre për pjesën e pagave dhe sigurimeve shoqërore, ndërsa ka një ulje për çështjen e shërbimeve dhe mallrave. 517 milionë lekë janë parashikuar për zërin prefektura, ku pjesa më e madhe është për paga dhe sigurimet shoqërore. Për zërin e gjendjes Civile, kemi 641 milionë lekë dhe këtu pjesën kryesore e mbajnë pagat e sigurimet shoqërore, ulje e lehtë tek mallrat e shërbimeve. Besoj se ulja e mallrave dhe shërbimeve vjen dhe në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve duke ofruar online një pjesë të mirë të shërbimeve që ofron ministria e brendshme dhe seksionet e Prefekturës dhe Gjendjes Civile, duke ulur kohën dhe kostot. Shifrat janë mëse të mjaftueshme për të vijuar normalisht punën. Rikonstruksioni i prefekturës së Tiranës ka përfunduar përmes buxhetit të vitit 2020  dhe kjo ka ndikuar në uljen e shpenzimeve dhe mallrave në zërin prefekturë”,- tha Hodaj gjatë fjalës së tij. /a.a/