Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi sot një dëgjesë me përfaqësues të Komitetit Olimpik dhe federatave të ndryshme sportive.

Në vijim të dëgjesave të organizuara me komunitetin e sportit, Kushi priti në MAS presidentin e KOKSH, Fidel Ylli së bashku me përfaqësues të federatave të ndryshme sportive në vend.

“Diskutuam mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave të tjerë se si mund të mbështesim federatat dhe të zhvillojmë sportin në tërësi. Ndamë bindjen se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri dhe nuk mund të rikthehemi në situatën alarmante që këto aktivitete sollën në familjet dhe shoqërinë shqiptare”, theksoi Kushi në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Kushi u shpreh se “dëgjova argumentet e tyre mbi formalizimin e tregut digjital sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me dëgjesa të tjera”.

Pak ditë më parë ministrja Kushi zhvilloi një dëgjesë me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit mbi disa ndryshime të propozuara për Ligjin e Sponsorizimit dhe bastet sportive.atsh