Sallat e basteve sportive tradicionale nuk do të hapen, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ato dixhitale.

Në një takim që ministria e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi kreu me Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në vijim të dëgjesave mbi rëndësinë e ligjit të sponsorizimeve dhe mekanizmave të tjerë për mbështetjen e sportit dhe federatat, ministria u tregua e prerë kur tha se vendimi i mbylljes së sallave të bixhozit dhe basteve sportive në dhjetor të vitit 2018, ka qenë i duhuri.

Sallat e basteve në çdo lagje sollën një situatën alarmante në shumë familje duke shtuar ndjeshëm numrin e personave të varur nga bixhozi dhe kësaj situate si KOKSH dhe MAS thanë se nuk do t’I rikthehen. Por ministrja la një shteg të hapur përsa I përket formalizimit të tregut digjital.

“Dëgjova argumentet e tyre mbi formalizimin e tregut digjital sipas modeleve më të mira të vendeve të tjera. Në ditët në vijim do të vazhdojmë me dëgjesa të tjera.”– tha Evis Kushi

Pavarsisht se ky aktivitet është i paligjshëm në Shqipëri, shumë persona operojnë me baste online në faqe si loj55.com, Bet365, buda355.com, bursa7777.club, 365skybet.com etj. Këto faqe kanë server jashtë Shqipërisë dhe persona të caktuar kanë akses nëpërmjet një useri duke vendosur baste online dhe pagesën e bëjnë online nëpërmjet kartave.

Deri më 21 qershor policia e shtetit ka evidentuar 170 raste të vendosjes së basteve sportive online dhe ka arrestuar 121 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 178 të tjerë.

Por ne raportin e fundit të dorëzuar në parlament, shërbimet informative ngrenë një alarm të fortë, për përfshirjen e krimit të organizuar në bastet online, për shkak të fitimeve të larta dhe mungesës së kontrollit.

“Korrupsioni dhe krimet në ekonomi mbeten fenomene shqetësuese që cenojnë barazinë ekonomike mes shtetasve dhe sundimin e ligjit. Krimet në ekonomi më të përhapura janë: evazioni fiskal, nëpërmjet aplikimit të praktikave dhe skemave të ndryshme abuzive; kontrabanda e mallrave të akcizës, shfaqur nëpërmjet manipulimit të dokumentacionit doganor, si dhe të kartëmonedhave të huaja kesh dhe të metaleve të çmuara mbi vlerën e lejuar; realizimi i lojërave të fatit në informalitet; huadhënia informale jashtë instrumenteve bankare, aplikimi në informalitet i kriptomonedhave virtuale dhe brokerimi i palicencuar.”- thuhet në raport.

 

Top Channel