Ditën e sotme do të nisnin zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Konferenca e Kryetarëve do të nisë në orën 12:30 ku do të diskutohet dhe përcaktohet raundi i parë i votimit të presidentit të ri.
Grupi i punës i ngritur nga Partia Socialiste ka mbledhur propozimet e deputetëve për presidentin, ndërsa nëpërmjet një e-maili zyrtar edhe qytetarët po shprehin kandidaturat e tyre. Mazhoranca ka kryer konsultime me krerët e grupeve të tjera, përveç atij të Partisë Demokratike, për shkak të krizës së brendshme në parti.
Deri në raundin e tretë palët mund të votojnë një emër konsensual. Nëse deri në raundin e tretë nuk votohet ky emër atëherë mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të.
Kryeministri Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste ndërsa deri më tani asnjë prej grupeve parlamentare nuk ka mbështetur publikisht një kandidat të caktuar.
Është bërë me dije gjithashtu se mbledhja zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit, salla “Pjetėr Arbnori” (kati 4).
Top Channel



























