Një sulm kibernetik që mbylli përkohësisht shumë shërbime digjitale të qeverisë shqiptare dhe faqe interneti në mes të muajit korrik, ka të ngjarë të jetë vepër e hakerëve pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri, bëri të ditur të enjten ‘Mandiant’ një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike.

Në një raport të saj kompania shpreh një ‘besim të matur’ se sulmuesit kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve, bazuar në disa faktorë: koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medies sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, i cili është përdorur prej kohësh për të goditur folës në gjuhën farsi dhe arabisht, raporton Zëri i Amerikës.

Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3,000 disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë, 30 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Kjo ngjarje përbën një kërcënim aktiv për organizatat publike dhe private në vendet e tjera anëtare të NATO-s”, tha kompania amerikane. “Ndërsa negociatat rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë ngecur, ajo tregon se Irani mund të jetë më pak i përmbajtur në kryerjen e sulmeve kibernetik në vazhdim”.

Pak ditë më parë qeveria shqiptare tha se metoda e hakerëve ishte identike me sulmet e vitit të kaluar në shtete të tjera të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Holandën dhe Belgjikën.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të bërë të enjten.

 

Top Channel